Kur flitet për ndërtimin e një rrjeti të gazit natyror në Kosovë, shpesh krijohet përshtypja se qytetarët do të duhej të mësoheshin me një burim të ri energjie. Në fakt, realiteti është krejt ndryshe. Kosova nuk ka mungesë kulture të përdorimit të gazit – i mungon vetëm infrastruktura moderne për ta furnizuar atë. Pas luftës së vitit 1999, vendi u përball me mungesa të mëdha të energjisë elektrike. Për vite me radhë, ndërprerjet e rrymës zgjatnin me orë të tëra dhe në periudha të caktuara arrinin deri në 16 orë brenda një dite. Përballë kësaj situate, familjet dhe bizneset u detyruan të gjenin alternativa. Bombolat e gazit u bënë pjesë e përditshmërisë për gatim, dhe ngrohje shtesë. Restorantet, furrat, pastiçeritë dhe shumë biznese të vogla u mbështetën tek gazi për të vazhduar aktivitetin e tyre pa u varur nga furnizimi me energji elektrike. Gjatë më shumë se dy dekadave, Kosova ka importuar qindra mijëra ton gaz, duke krijuar një ekonomi funksionale të gazit jashtë rrjetit (Off-Grid). Përdorimi i bombolave të gazit është një aftësi e zakonshme e qytetarëve. Nuk është aspak e pazakontë të thuhet se edhe një gjyshe në Kosovë di ta ndërrojë bombolën e gazit për ta përgatitur kafen e mëngjesit. Kjo tregon se sfida për Kosovën nuk është pranimi i gazit si burim energjie. Ai tashmë është pjesë e jetës së përditshme. Sfida është kalimi nga një sistem i shpërndarjes jasht rrjetit (Off-Grid) me bombola individuale në një rrjet modern transmetimi dhe shpërndarjeje (On-Grid) që furnizon familjet dhe bizneset në mënyrë të vazhdueshme. Një rrjet i gazit natyror do të sillte përfitime të konsiderueshme për sistemin energjetik të vendit. Sot, një pjesë e madhe e gatimit dhe një pjesë e konsiderueshme e ngrohjes realizohen me energji elektrike, duke rritur ngarkesën mbi rrjet, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Nëse gatimi dhe një pjesë e nevojave për ngrohje do të mbuloheshin me gaz natyror, kërkesa për energji elektrike do të ulej ndjeshëm gjatë orëve të pikut. Kjo do të zvogëlonte nevojën për importe të shtrenjta të energjisë elektrike, do të reduktonte presionin mbi rrjetin elektroenergjetik dhe do të përmirësonte sigurinë e furnizimit. Për me tepër gazi është një nga burimet më efikase për prodhimin e nxehtësisë. Transportimi i energjisë në formën e gazit përmes tubacioneve kërkon shumë pak energji shtesë dhe humbjet janë minimale. Në anën tjetër, energjia elektrike humbet një pjesë të saj gjatë transmetimit dhe shpërndarjes në rrjet. Sa më pak energji elektrike të përdoret për procese që mund të mbulohen nga gazi, aq më i vogël është presioni mbi rrjet dhe aq më efikas bëhet i gjithë sistemi energjetik. Përfitimet nuk kufizohen vetëm te sektori energjetik. Një rrjet modern i gazit do të ulte kostot operative për restorantet, furrat, hotelerinë, lavanderitë, spitalet dhe industrinë përpunuese. Ai do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investime industriale, do të rriste konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe do të krijonte një burim të ri sigurie energjetike përballë krizave të ardhshme. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i një rrjeti të gazit nuk do të nënkuptonte zëvendësimin e energjisë elektrike. Përkundrazi, do të krijonte një sistem energjetik më të balancuar, ku secili burim përdoret aty ku është më efikas. Energjia elektrike do të lirohej për sektorët që kanë më shumë nevojë për të, ndërsa gazi do të mbulonte funksionet ku është ekonomikisht dhe teknikisht më i favorshëm. Një tjetër përfitim i rëndësishëm i një sistemi të gazit me rrjet (on-grid) lidhet me sigurinë. Ndryshe nga përdorimi i bombolave individuale, të cilat shpesh blihen nga burime të ndryshme pa garanci për origjinën, mirëmbajtjen apo testimet periodike, një rrjet i gazit do të ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet dhe operatori i licencuar. Tubacionet, stacionet e matjes dhe lidhjet do t'i nënshtroheshin standardeve teknike, inspektimeve të rregullta dhe sistemeve të monitorimit, duke ulur ndjeshëm rrezikun e rrjedhjeve, manipulimeve apo pajisjeve të pasigurta. Një sistem i rregulluar dhe i monitoruar vazhdimisht do të ofronte një nivel shumë më të lartë sigurie për familjet dhe bizneset, krahasuar me varësinë nga bombolat që qarkullojnë në treg pa një kontroll të njëjtë institucional. Kosova nuk po niset nga zero. Për më shumë se 25 vjet, qytetarët dhe bizneset kanë dëshmuar se dinë ta përdorin gazin dhe e kanë integruar atë në jetën e tyre të përditshme. Kultura e gazit ekziston. Ajo që mungon është infrastruktura që do ta shndërronte këtë kulturë nga një sistem me bombola në një rrjet modern, të sigurt, të vazhdueshëm dhe më ekonomik për të gjithë vendin.