A mund ta çrregullojë zhurma ritmin elektrik të zemrës?
Një zhurmë jashtëzakonisht e fortë si ajo e një motoçiklete nuk përfundon vetëm te veshi. Ajo aktivizon sistemin nervor, duke sjellë rritje të përkohshme të pulsit dhe presionit të gjakut dhe duke shtuar ngarkesën mbi zemrën. OBSH-ja e përshkruan këtë mekanizëm si një nga rrugët biologjike përmes të cilave zhurma mund të ndikojë në sistemin kardiovaskular. Për një person të shëndetshëm, reagimi ndaj kalimit të një motoçiklete shumë të zhurmshme zakonisht është i shkurtër. Situata bëhet më relevante te personat që kanë predispozicion për sëmundje të zemrës ose çrregullime kardiovaskulare. Aritmita Një zhurmë jashtëzakonisht e fortë dhe e papritur mund të shkaktojë një reagim të fuqishëm në organizëm. Brenda sekondave aktivizohet sistemi nervor simpatik dhe rritet çlirimi i adrenalinës dhe noradrenalinës. Këto ndryshime mund të ndikojnë drejtpërdrejt mënyrën se si zemra gjeneron dhe përcjell impulset e saj elektrike, duke rritur frekuencën e nyjës sinusale, duke ndryshuar përçueshmërinë elektrike dhe duke ndikuar procesin e repolarizimit të qelizave të muskulit të zemrës. Kjo nuk nënkupton se zhurma e motoçikletës ndërhyn fizikisht me elektricitetin e zemrës. Mekanizmi kryesor është neurokardiak: zhurma perceptohet nga sistemi dëgjimor, truri aktivizon reagimit, sistemi nervor autonom dhe hormonet e stresit ndryshojnë aktivitetin kardiak dhe këto ndryshime, te një person i predispozuar, ndikojnë në stabilitetin elektrik të zemrës. Hipertensioni Personat me presion të lartë të gjakut mund të jenë më të ndjeshëm ndaj rritjes së mëtejshme dhe të menjëhershme të presionit gjatë një reagimi të fortë stresi. Një zhurmë shumë e fortë nxit çlirimin e adrenalinës dhe noradrenalinës, të cilat përshpejtojnë zemrën dhe shkaktojnë ngushtim të përkohshëm të enëve të gjakut. Si rezultat, presioni arterial mund të rritet përkohësisht. Te personat me hipertension të pakontrolluar ose sëmundje të tjera kardiovaskulare, këto luhatje mund të përfaqësojnë një ngarkesë shtesë për zemrën dhe enët e gjakut. Angina dhe aktiviteti elektrik i zemrës Rritja e menjëhershme e pulsit dhe presionit rrit edhe kërkesën e zemrës për oksigjen. Ekspozimi i vazhdueshëm ose i përsëritur ndaj zhurmës lidhet me rritje të rrezikut për sëmundje ishemike të zemrës. Mekanizmi lidhet me aktivizimin e përsëritur të përgjigjes së stresit, rritjen e presionit të gjakut dhe hormoneve të stresit, si dhe me çrregullimin e gjumit. Me kalimin e kohës, këto efekte kontribuojnë në dëmtimin e funksionit të enëve të gjakut dhe në rritjen e ngarkesës kardiovaskulare. Te disa persona, sistemi elektrik i zemrës ka nevojë për më shumë kohë se zakonisht për t’u “rivendosur” pas çdo rrahjeje. Te shumica e njerëzve zemra e përballon këtë reagim pa problem, por te këta persona kombinimi i rikuperimit më të ngadalshëm elektrik dhe shpërthimit të papritur të adrenalinës mund ta bëjë ritmin e zemrës të paqëndrueshëm. Kjo nuk do të thotë se zhurma e një motoçiklete zakonisht shkakton infarkt ose aritmi. Intensiteti, afërsia, kohëzgjatja dhe përsëritja e ekspozimit, si dhe gjendja shëndetësore e personit, kanë rëndësi të madhe.